Një punonjëse shëndetësore portugeze ka ndërruar jetë dy ditë pasi mori vaksinën Pfizer.
Sonia Acevedo, 41 vjeç, vdiq papritur në shtëpi në ditën e parë të vitit të ri, 48 orë pasi mori dozën e parë të vaksinës. Një autopsi pritet të tregojë shkakun e vdekjes.
Nëna e dy fëmijëve, e cila ka punuar në pediatri në Institutin Portugez të Onkologjisë në Porto, thuhet se nuk ka pësuar ndonjë efekt anësor të padëshiruar si pasojë e vaksinimit.
Babai i zonjës Acevedo, Abilio Acevedo i tha të përditshmes portugeze “Correio da Manha”:
“Ajo ishte mirë. Nuk kishte pasur ndonjë problem shëndetësor. Ajo mori vaksinën kundër Covid-19, por nuk kishte ndonjë simptomë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Unë dua vetëm një përgjigje. Unë dua të di se çfarë çoi në vdekjen e vajzës sime.”
Punëdhënësit e zonjës Acevedo konfirmuan se gruaja e ndjerë ishte vaksinuar kundër koronavirusit më 30 dhjetor dhe thanë se nuk ishin njoftuar për ndonjë ‘efekt të padëshiruar’ kur ajo u vaksinua ose në orët më pas.
Instituti Portugez i Onkologjisë tha në një deklaratë:
“Në lidhje me vdekjen e papritur të një ndihmëseje operative nga IPO në Porto, më 1 janar 2021, Bordi i Drejtorëve konfirmon ngjarjen dhe shpreh keqardhje të sinqertë për familjen dhe miqtë me sigurinë që kjo humbje ndihet edhe këtu. Shpjegimi i shkakut të vdekjes do të ndjekë procedurat e zakonshme në këto rrethana.”
Acevedo kishte punuar në IPO Porto, një institucion shëndetësor kombëtar dhe ndërkombëtar në trajtimin, kërkimin dhe edukimin e kancerit, për më shumë se 10 vjet. Ajo jetonte me familjen e saj në Maia afër Porto, por vdiq në shtëpinë e partnerit të saj në Trofa. Ajo ndryshoi foton e saj të profilit në Facebook menjëherë pas vaksinimit të saj, për të postuar një selfie me një maskë në fytyrë dhe mesazhin: ‘Vaksinuar kundër Covid-19.’
Vajza e zonjës Acevedo, Vania Figueredo tha se nëna e saj ishte ankuar vetëm për shqetësime normale në zonën ku u vaksinua, por ishte mirë. Duhet të pritet rezultati i autopsisë që të vërtetohet shkaku i vdekjes së 41-vjeçares.
Përshtatur nga Daily Mail